VOA/Escobar: Situata në veri të Kosovës ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të martën se situata në veri të Kosovës ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal, ndërsa u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për shtensionimin e gjendjes dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai i bëri këto komente në një debat me Ilva Taren në Këshillin Atlantik së bashku me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, në të cilin shprehën shqetësimin me zhvillimet në veri të Kosovës.
“Jam shumë i shqetësuar, kjo situatë ka potencialin të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe konfrontim rajonal dhe kjo është arsyeja përse ne po i mbështesim kaq fort përpjekjet evropiane”. Kjo duhet të jetë përpjekje evropiane sepse të dy vendet janë në Evropë, aspirata më e lartë e tyre është integrimi në Bashkimin Evropian. Gjithashtu si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, do të donim ta shihnim atë pjesë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kështu që ne duam një proces që ulë shqetësimet e pesë vendeve mosnjohëse dhe ky duhet të jetë proces evropian, por kjo nuk do të thotë se ne qëndrojmë pasiv”, tha zoti Escobar.
Escobar: Situata në veri të Kosovës ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal
“Mendoj se momenti është shumë i rëndësishëm dhe shumë kritik në kuptimin që ne duhet të diskutojmë hapat e mëtejshëm. Situata është shumë e vështirë, jam shumë i shqetësuar. Që nga 26 maji ka njerëz që po qëndrojnë në rrugë, ka policë të Kosovës, ka forca të KFOR-it ndërsa tashmë kemi parë një seri incidentesh, prandaj vlerësoj se përparësi është shtensionimi i situatës. Të largohen njerëzit nga rruga, palët t’i kthehen dialogut dhe padyshim pjesë e këtij procesi është organizimi i zgjedhjeve të reja me pjesëmarrje të komunitetit serb. pa parakushte. Nëse nuk arrijmë të bëjmë këtë atëherë mund të ketë viktima dhe nuk mund ta përballojmë këtë”, tha zoti Lajcak.
Zoti Escobar kërkoi sërish lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen në Serbi, një qëndrim që u mbështet edhe nga zoti Lajcak.
Rasti i policëve shtoi tensionet edhe ashtu të larta dhe Bashkimi Evropian paralajmëroi një takim të nivelit të lartë ndërmjet të dyja vendeve. Më gjithë mëdyshjet në Prishtinë dhe Beograd, zoti Lajçak u shpreh i bindur së takimi do të ndodhë.
“Shikoni, nuk ka pasur asnjë rast që udhëheqësit të refuzojnë ftesën për në Bruksel. Prandaj, nuk jam shumë i shqetësuar për retorikën. Ata do të vijnë. T’i thuash jo ftesës nga Bashkimi Evropian do të ishte vërtet një akt shumë serioz dhe shumë negativ”, tha zoti Lajçak.
Ai theksoi se çështja kryesore është shtensionimi i situatës dhe pastaj pajtimi për datën e zgjedhjeve në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kuadrin ligjor. Kjo, tha ai, mund të ndodhë ose me dorëheqjet e kryetarëve të komunave ose me referendume lokale. Duhet pajtim i palëve për zgjedhjet tha zoti Lajçak.
“Por, deri më tani nuk kemi parë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, theksoi zoti Lajçak.
Mbajtja e zgjedhjeve është pjesë e kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri, ku përfshihet edhe largimi i njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat e komunave dhe kthimi në tryezën e bisedimeve.
“Më duhet të them se komuniteti transatlantik është shumë i bashkuar. Ideja që një apo dy udhëheqës mund të vendosin kushte për një plan që është zhvilluar me kujdes nga Bashkimi Evropian në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara, është e pamatur”, tha zoti Escobar.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kërkon largimin e policisë nga veriu i Kosovës, kryetarëve shqiptarë të komunave dhe lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar në lidhje me incidentet atje. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka theksuar se shtensionimi duhet të ndodhë krahas vendosjes së sundimit të ligjit.
Rikthimi në tryezën e bisedimeve sipas diplomatëve perëndimorë nënkupton edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Zoti Escobar dhe zoti Lajçak e cilësuan si “propozim serioz” projekt stuatitin për këtë asociacion të cilin kryeministri shqiptar Edi Rama tha me 8 qershor se ua ka dërguar presidentit francez Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Zoti Escobar sërish hodhi poshtë pretendimet se Uashingtoni së fundmi po ndihmon më shumë Serbinë se sa Kosovën, ndërsa zoti Lajcak tha se të dyja palët do të përballen me pasoja nëse nuk punojnë për shtensionimin e gjendjes.
“Kemi shqetësime për Serbinë dhe marrëdhënieve të saj me Rusinë, por ndërsa punojmë me Serbinë për të trajtuar këto shqetësime, nuk do të sakrifikojmë qëndrueshmërinë rajonale”, tha zoti Escobar.
Të dy diplomatët thanë se Kosova dhe Serbia nuk e kanë luksin të presin ndërsa viti që vjen është periudhë e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian.