Lufta në Ukrainë, Zelensky: Kundërsulmi ynë ndaj Rusisë po ecën më ngadalë se ç’duhej
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se kundërofensiva e Kievit kundër forcave ruse në fushën e betejës po ecën me ritme më të ngadalta nga sa ç’duhej, por shtoi se operacioni do të vijojë. Ukraina bëri me dije se ka rimarrë 8 fshatra në jug të vendit gjatë dy javëve të fundit.
Edhe pse jo aq sa pritej, ky është avancimi më i madh që forcat ukrainase kanë bërë që nga nëntori, teksa përpiqen të depërtojnë në zonat e fortifikuara dhe të minuara të kontrolluara nga Rusia. Zelensky tha, sipas BBC, se avancimi i forcave të armatosura ukrainase nuk është i lehtë, pasi 200,000 kilometra katrorë të territorit ukrainas janë minuar nga forcat ruse.
“Çfarëdo që të duan disa njerëz, duke përfshirë përpjekjet për të ushtruar presion mbi ne, me gjithë respektin e duhur, ne do të vazhdojmë në fushën e betejës në mënyrën që ne mendojmë se është më e mira,” tha Zelensky për BBC.
Rusia kishte muaj për të përgatitur mbrojtjen e saj. Trupat ukrainase nuk kanë arritur ende në fortifikimet më të rënda ruse, të cilat shtrihen pas vijës së frontit prej 1000 kilometrash.