Borrell kërkesë Vuçiqit: Policët e Kosovës duhet të lirohen pa kushte dhe menjëherë
Shefi i BE-së për Politikë të Jashtme, Joep Borrell, pas takimeve të ndara që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, i ka bërë disa kërkesa Kosovës dhe Serbisë, kryesisht për tre policët e arrestuar.
“Ne ua prezantuam palëve tre kërkesat tona. Për Kosovën, që menjëherë të pezullojë operacionet e policisë në afërsi të komunave veriore dhe që kryetarët aktual të vazhdojnë punën larg këtyre objekteve. Për Serbinë, të sigurojë që protestuesit të largohen njëkohësisht me policinë e Kosovës. Të dy palët të shpallin zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat veriore me kushtin e pjesëmarrjes së plotë të serbëve të Kosovës. Ky është problemi kryesor dhe zgjidhja kryesore, zgjedhje të parakohshme, zgjedhje të reja sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrje të plotë. Dhe pastaj, pasi gjendja të qetësohet të fillojë puna për normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut. Vetëm disa muaj më parë arritëm një marrëveshje të rëndësishme për rrugën drejt normalizimit dhe dukej se ishim në rrugë të mirë, duhet të kthehemi tek implementimi i këtyre marrëveshjeve dhe kjo duhet të vazhdojë me fillimin e draftit për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe pa kushte.
Po ashtu kemi qenë të qartë se nuk ka mosndëshkueshmëri për ata që ushtruan dhunë, por kjo duhet t’i lihet drejtësisë për të bërë punën e tyre. Takimi i sotëm nuk u fokusua në çka, por si dhe kur. Si të qetësohet situata në teren, si të qetësohet në hapa konkret. Si të organizohen zgjedhjet e reja, si të kthemi në dialog dhe implementimin e të gjitha obligimeve të dala nga dialogu, në veçanti marrëveshjen e fundit të arritur për normalizim të marrëdhënieve.
Pas katër orëve takim, mendoj që dy liderët e kuptojnë situatën por kanë situata të ndryshme e pikëpamje të ndryshme, interpretime të ndryshme të shkaqeve dhe efekteve të zgjidhjeve.
Në mënyrë që të ecim përpara kam dhënë propozime konkrete të bazuara në kushtet e Bashkimit Evropian dhe një listë, në këtë kontekst u pajtuam për nevojën për zgjedhje të reja dhe diskutuam për hapat e modalitetet dhe hapa se si të ecim tutje. Nuk jemi ende atje, por të paktën e dimë se si të veprojmë, cilat janë alternativat dhe procedurat.
Diskutuam edhe për arrestimet. Theksova se arrestimi i padrejtë dhe arbitrar dhe keqtrajtimi i të burgosurve është i papranueshëm. Misioni ynë i EULEX-it në Kosovë do të luaj një rol monitorues në këtë kontekst. I theksova presidentit Vuçiç se policët e Kosovës që mbahen në Serbi duhet të lirohen pa kushte dhe menjëherë. Për ta përmbyllur mendoj se kemi gjetur disa rrugë për të vazhduar përpara, por të dy palët duhet të angazhohen për t’i përmbushur zotimet e tyre. Në veçanti, Kosovës i kam prezantuar disa dyshime për trajtimin e të burgosurve dhe arsyet për disa mbajtje dhe kërkova hetim të detajuar dhe vlerësim të situatës dhe të marrin masat e duhura”, tha Borrell pas takimit.