Mban lart flamurin kuqezi, boksieri Kristian Prenga nderohet me çmimin e rëndësishëm në SHBA
Boksieri shqiptar, Kristian Prenga është nderuar me “Çelësin e Qytetit” nga kryetari i bashkisë së Garfield (New Jersey) në SHBA. Prej kohësh sportisti shqiptar është në Shtetet e Bashkuara, ku me rezultatet e mira ia ka dalë të mbajë lart flamurin kuqezi në ring. Për këtë dhe për modelin që është frymëzues, kreu i bashkisë së kësaj zone, Richard Rigoglioso i ka akorduar Prengës çmimin e rëndësishëm.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Kryetarin e Bashkisë të Garfield Z. Richard Rigoglioso dhe për menaxheren e qytetit Znj. Erin Nora Delaney për mikpritjen e ngrohtë dhe për vlerësimin me çmimin “Çelësi i Qytetit”. Ky çmim nuk është vetëm për mua, por për të gjitha orët që unë dhe ekipi im kemi kaluar duke punuar”, shkruan Prenga në kanalet e komunikimit.
Boksieri shqiptar prej disa vitesh është zhvendosur tanimë në Shtetet e Bashkuara, aty ku vijon karrierën në ring, duke korrur suksese të rëndësishme në boks.