“E bukura Shqipëri!”, vajza e Donald Trump promovon vendin tonë
Duket se Shqipëria është kthyer në destinacionin e preferuar të verës për Ivanka Trump, vajza e Donald Trump.
Prej ditësh fotot e saj në Tiranë dhe në jug të vendit kanë bërë xhiron e rrjetit.
Por, vetë Ivanka ka publikuar në Instagram disa foto të ndryshme piktoreske nga brigjet shqiptare. Në një prej tyre ajo shkruan “E bukura Shqipëri” me një emoji me sytë me zemra.
Kjo nuk është hera e parë që Ivanka viziton Shqipërinë. Në vitin 2021 ajo e shoqëruar sërish nga bashkëshorti ishte po në jug të vendit, ku ndër të tjera vizitoi edhe Butrintin.
Gjithashtu, Ivanka shpërndau një video ku shihet duke pilotuar helikopterin mbi gadishullin e Karabaurunit dhe ishullin e Sazanit: “Jam duke mësuar”, shkruan ajo në postim.
Prej më shumë se një jave tashmë ajo ka tërhequr vëmendjen e pushuesve në Vlorë edhe me jahtin e saj të madh luksoz ku ndodhet së bashku me bashkëshortin Jared Kushner dhe tre fëmijët.
Fillimisht jahti është parë duke vizituar gadishullin e Karaburunit dhe brigjet përreth. Më pas Ivanka është fotografuar në Tiranë duke vizituar Muzeun e Gjetheve me familjen, shoqëruar nga kryeministri Rama dhe ish-këshilltari i Sigurisë për presidentin Trump, Richard Grenell.