Lajme

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetësisë në Preshevë nuk punëson vullnetarët që kanë punuar gjatë koronës

Asnjë nga vullnetarët që kanë punuar falas gjatë krizës së koronës nuk është punësuar në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë, thonë disa prej tyre.

Drejtori i këtij institucioni, dr. Boban Spasiq, ka thënë për Agjencinë Rajonale për Informim JUGpress se i duhet leja për t’i pranuar këta persona, disa prej të cilëve janë aty prej 22 muajsh dhe vullnetarisht kanë shërbyer gjatë pandemisë së koronës.

“Deri më tani kemi punësuar mbi 50 persona. Kam thyer planin e personelit dhe nuk kam më mundësi të punësoj”, thotë Spasiq.

Megjithatë, burime të JUGpress në Qendrën Shëndetësore pohojnë se njerëzit janë të punësuar në baza të ndryshme dhe se nuk janë vullnetarë.

I pyetur nëse e di për vendimin e Qeverisë së Serbisë sipas të cilit të gjithë personat që kanë dalë vullnetarë gjatë pandemisë Covid-19 duhet të punësohen, Spasiq thotë se “ka punësuar njerëz deri në planin e personelit, rreth 50 deri më tani”.

“Këta janë njerëz që kanë punuar gjatë koronës”, pohon ai.

E pyesim nëse në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë kanë qenë vullnetarë në kohën e koronës 90 persona sepse sipas informacioneve tona dyzet prej tyre që kanë dalë vullnetarë atëherë ende nuk kanë marrë vendim për lidhjen e marrëdhënies së punës.

“Kam punësuar 50 dhe kanë mbetur 30. Nuk mund t’i pranoj ata njerëz për shkak të planit të personelit. Nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë më kanë thënë që mund të marr vetëm me pëlqim”.

Mirëpo, në Konkluzionin e Qeverisë së Serbisë, thuhet se të gjithë ata që kanë dalë vullnetarë gjatë koronavirusit janë pranuar në marrëdhënie pune, nuk përmendet askund pëlqimi i veçantë.

E pyesim Spasiqin nga i cili ka marrë urdhrin se kërkohet pëlqimi për punësimin e këtyre personave.

Ai thotë se kështu i është thënë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore Republikane.

“Mbi 80 persona kanë kaluar në Qendrën Shëndetësore në momentin e përhapjes së koronavirusit. Kam punësuar 50, kanë mbetur 30 dhe kam arritur në përmbushjen e planit të personelit. Unë kam qenë në ministri, kam marrë në telefon ata persona që duhet të punësohen, i kam thënë që kam thyer planin e personelit dhe më kanë thënë të pres, që duhet të pranoj njerëz sipas pëlqimit të tyre. I kërkova Qeverisë leje për të pritur rreth 25 persona të enjten, 23 nëntor 2023 vendosin për këtë. E njëjta gjë vlen edhe për Bosilegradin. Mendoj se ka disa qytete të tjera në Serbi”, thotë Spasiq.

Mirëpo, sipas kushteve të konkursit të shpallur në mars të këtij viti, për punësimin e mjekëve, infermierëve dhe teknikëve dhe pastruesve në këtë qendër shëndetësore, kërkohet provimi dhe licenca profesionale si dhe dëshmia e përvojës së punës. Në kohën e koronës dolën vullnetarë njerëz që nuk kishin asgjë nga këto dhe ishin në mesin e të papunëve.

Ato kushte shtesë në konkursin për punësimin e njëzet e një personave nuk pajtohen me pohimin e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetësisë në Preshevë, dr. Boban Spasiq, se ai ka pranuar vullnetarë të cilët kanë punuar falas në atë institucion, disa gati dy vjet, gjatë koronës.

Për ata njerëz kjo është mundësia e vetme për të gjetur punë në Preshevë, ku nuk ka punë dhe njerëzit largohen masivisht.

Askush nuk iu përgjigj dje dhe sot numrave të telefonit të publikuar në faqet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të Republikës. LJS/SM

Related Articles

Back to top button