KNSH në qendër të polemikave për konkursin e bujqve në Luginë
Këshilli Nacional Shqiptar (KNSH) është përfshirë në një debat ligjor dhe politik pas hapjes së një konkursi për financimin e bujqve në Luginën e Preshevës. Ky hap ka nxitur reagime të ashpra, pasi KNSh ligjërisht nuk ka kompetenca për t’u marrë me çështjet e bujqësisë.
Sipas një shkrese të dërguar sot nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogut Social, i është kërkuar KNSH-së që ta anulojë menjëherë këtë konkurs. Ministria ka paralajmëruar se nëse Këshilli nuk e tërheq konkursin, atëherë ajo vetë do të ndërhyjë për ta anuluar.
Kryetari i KNSH-së, Nevzad Lutfiu, ka reaguar duke akuzuar Alternativën për Ndryshim (APN) se kanë bërë presion te Ministria për të ndërhyrë në këtë çështje. Sipas Lutfiu-t, APN ka qëllim të minojë veprimtarinë e KNSh-së në mbështetje të komunitetit.
Nga ana tjetër, kryetari i APN-së, Visar Memeti, ka mohuar akuzat dhe ka sqaruar se partia e tij ka paralajmëruar KNSH-në që para hapjes së konkursit se një veprim i tillë ishte i paligjshëm. Memeti ka publikuar një shkrim të datës 11 tetor ku theksonte se sfera e veprimtarisë së KNSH-së nuk përfshin bujqësinë. Ai ka argumentuar se KNSHnuk ka të drejtë ligjore për të ndarë subvencione apo për të ndërhyrë në këtë fushë.
Nga ky konkurs, KNSH ka tentuar të manipulojë bujqit e Luginës, duke krijuar pritshmëri të rreme për ndihma financiare që nuk ka autoritetin t’i japë. Nëse konkursi anulohet, bujqit do të jenë më të dëmtuarit në këtë proces, pasi do të humbin kohë dhe resurse të vlefshme, duke u përballur me një pasiguri të shtuar në një situatë tashmë të vështirë ekonomike.
Kjo situatë ka shkaktuar një debat të ashpër në opinionin publik dhe ka ngritur pikëpyetje mbi rolin dhe kompetencat e institucioneve lokale dhe kombëtare. Nëse konkursi do të anulohet apo jo, mbetet për t’u parë në ditët në vijim.