Arbër Pajaziti i drejtohet Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe OSBE-së pas dhunës ndaj sportistëve shqiptarë në Bosilegrad

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur më 6 prill në Bosilegrad, ku disa sportistë shqiptarë nga Klubi Futbollistik Tërnoc u dhunuan dhe u ndaluan nga policia serbe pa ndonjë justifikim ligjor.
Pajaziti njoftoi se i është drejtuar me dy letra të ndara Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe misionit të OSBE-së në Serbi, duke kërkuar hetim të detajuar dhe të paanshëm për rastin. Ai theksoi nevojën për ndëshkimin e zyrtarëve policorë që kanë shkelur ligjin dhe për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, të cilën e cilëson si të motivuar nga prapavija tendencioze.
“Kjo ngjarje ka rritur pasigurinë e sportistëve shqiptarë për të marrë pjesë në gara sportive në Serbi,” deklaroi Pajaziti, duke theksuar se kërkohet një qasje e menjëhershme për të garantuar sigurinë dhe trajtimin e barabartë të të gjithë sportistëve.
Në fund, Pajaziti u shpreh se sportistët, veçanërisht futbollistët e Tërnocit, nuk meritojnë të dhunohen, por të trajtohen njësoj si çdo sportist tjetër.