Lajme

Parkingjet me pagesë: Humbje gjysmë milioni dinarë në muaj për NP Moravica

Implementimi i sistemit të parkingjeve me pagesë nga pushteti lokal është shndërruar në një burim humbjesh financiare dhe punësimesh familjare, sipas një reagimi publik nga Visar Memeti.

Sipas Memetit, sistemi i ri është vënë në funksion pa përmbushur kushtet elementare dhe në vend që të sjellë përfitime për qytetin, po i shërben interesave të ngushta partiake dhe familjare. Ai thekson se të paktën 6 persona janë punësuar për menaxhimin e parkingjeve, me paga mujore bruto prej 100 mijë dinarësh secili, duke arritur një shpenzim total prej 600 mijë dinarësh në muaj.

Përveç kësaj, 60 mijë dinarë të tjera i paguhen një kompanie nga Novi Sadi për mirëmbajtjen e sistemit të SMS-it për parking. Në anën tjetër, të hyrat mujore nga këto pagesa arrijnë vetëm në rreth 150 mijë dinarë, nga të cilat vetëm 100 mijë i mbeten NP Moravicës pas shpenzimeve për operatorin telefonik.

“NP Moravica çdo muaj humb rreth gjysmë milioni dinarë nga ky ‘zbulim inovativ’, duke e çuar këtë institucion drejt një humnerë,” përfundon Memeti, duke kërkuar llogaridhënie dhe ndërprerje të kësaj skeme të dështuar.

Related Articles

Back to top button