Nga sot në Preshevë çmimi i kafes 120 dinarë

Qytetarët e Preshevës nga sot do të paguajnë më shumë për një kafe. Çmimi standard i kafes nëpër shumicën e kafeneve të qytetit është rritur në 120 dinarë, krahasuar me çmimin e mëparshëm prej 100 dinarësh.

Rritja e çmimit vjen si rezultat i shtrenjtimit të produkteve bazë për përgatitjen e kafes, përfshirë edhe transportin dhe energjinë elektrike. Pronari i një kafeneje në qendër të qytetit tha për Presheva.AL se vendimi nuk ka qenë i lehtë, por ishte i pashmangshëm për të mbuluar kostot në rritje.

“Edhe ne jemi konsumatorë dhe e kuptojmë shqetësimin e qytetarëve, por çmimet e furnizimeve janë rritur ndjeshëm dhe kjo na ka detyruar të bëjmë këtë ndryshim,” tha ai.

Qytetarët kanë reaguar të ndarë. Disa e shohin këtë si një pasojë të natyrshme të inflacionit, ndërsa të tjerë thonë se rritja është e pajustifikuar dhe do të ndikojë në xhepat e tyre.

Presheva, si shumë qytete të tjera në rajon, po përballet me trysni ekonomike dhe rritje të vazhdueshme të çmimeve në produktet dhe shërbimet bazë.

Back to top button