Asnjë shqiptar i pranuar në polici në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – A po rikthehet viti 2001?

Kryetarja e Komunës së Preshevës dhe Ardita Sinani ka reaguar me shqetësim të madh pas publikimit të listës së fundit të pranimeve në polici nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ku sipas saj, asnjë shqiptar nuk është pranuar në konkurset për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Sipas të dhënave që ajo publikoi:
– Në Preshevë dhe Bujanoc janë pranuar 43 policë të rinj – asnjëri shqiptar
– Në Medvegjë janë pranuar 22 policë të rinj – asnjëri shqiptar
“Ky është një tregues i qartë i përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet e sigurisë,” shkruan Sinani, duke e quajtur këtë një alarm serioz për paqen, bashkëjetesën dhe stabilitetin në Luginë.
Sinani kujton Marrëveshjen e Konçulit të vitit 2001, ku u vendos ndërtimi i një policie multietnike në komunat me shumicë shqiptare si garanci për integrim dhe siguri. Ajo shpreh shqetësim se, ndonëse kanë kaluar 24 vjet, ky premtim po shkelet rëndë dhe shqiptarët po përjashtohen tërësisht nga strukturat policore.
“Që nga viti 2004 nuk është pranuar asnjë shqiptar i ri në polici. Kjo po çon drejt një zbrazëtie të plotë etnike në sektorin e sigurisë – njësoj si në vitin 2001, kur shqiptarët ishin të përjashtuar nga çdo institucion shtetëror,” paralajmëron Sinani.
Në kontrast me këtë, ajo thekson se në Kosovë:
– 10% e Policisë përbëhet nga komunitetet pakicë
– Më shumë se gjysma janë nga komuniteti serb
– Në vetëm tri konkurse janë pranuar 210 policë serbë të rinj
“Ndërsa në Serbi, në tri komuna me shumicë shqiptare, nuk është pranuar asnjë shqiptar,” shkruan ajo.
Sinani e quan këtë një trajtim diskriminues, një shkelje e Marrëveshjes së Konçulit dhe një kërcënim për sigurinë dhe të ardhmen e përbashkët. Ajo u bën thirrje institucioneve kompetente që ta ndalojnë këtë praktikë dhe të rikthehen në frymën e marrëveshjes, duke mundësuar përfaqësim të barabartë të shqiptarëve në institucionet shtetërore të sigurisë.