Flija shqiptare drejt mbrojtjes ndërkombëtare: Regjistrohet si Specialitet Tradicional i Garantuar (STG)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se ka nisur zyrtarisht procesi i regjistrimit të FLI-së si produkt STG (Specialitet Tradicional i Garantuar). Ky është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe mbrojtjes ndërkombëtare të kësaj pjate tradicionale shqiptare, e cila përfaqëson një pjesë të vyer të trashëgimisë sonë kulinare.

“Kjo ngjarje shënon hapin e parë drejt regjistrimit të FLI-së si pjesë e trashëgimisë sonë kulinare, duke ruajtur recetën autentike”, shkruan Rama, duke ndarë edhe disa imazhe nga aktiviteti i zhvilluar në natyrë, ku përgatitja tradicionale e flisë u dokumentua dhe u shoqërua me prezantime zyrtare.

Procesi është pjesë e përpjekjeve për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë kulinare shqiptare në nivel ndërkombëtar, duke i dhënë identitet të mbrojtur disa prej recetave më të vjetra dhe më të dashura për shqiptarët.

Në fotot e ndara nga Kryeministri, shihen përfaqësues të institucioneve dhe të komuniteteve lokale që dokumentojnë dhe shijojnë flinë e përgatitur në mënyrë tradicionale, nën saç, në ambiente autentike malore.

Back to top button