APN: Ardita Sinani në vitin 2024 ka emruar Ragmi Mustafën të menaxhojë miliona euro nga donatorët e huaj

Kryetarja e komunës, Ardita Sinani, ka shkaktuar reagime të forta politike pas vendimit për të emëruar Ragmi Mustafën në krye të grupit punues për menaxhimin e granteve ndërkombëtare, një pozicion i rëndësishëm që ka të bëjë me menaxhimin e miliona eurove nga donatorët e huaj.

Lajmi u publikua nga partia opozitare Alternativa për Ndryshim, e cila e ka cilësuar këtë vendim si skandaloz. Në një reagim publik në rrjete sociale, kryetari i kësaj partie, Visar Memeti, akuzon Ardita Sinanin se po vazhdon praktikën e favorizimit të figurave të afërta politike, duke ia dorëzuar një pozitë kyçe ish-shefit të saj politik, Ragmi Mustafës.

“Si mund të mungonte në krye të një grupi punues ku menaxhohen paratë nga donatorët ndërkombëtarë, një ‘ekspert’ si Ragmi Mustafa me një përvojë 12-vjeçare në këtë fushë?”, ironizon Memeti në reagimin e tij, duke e kritikuar edhe mbështetjen që ai merr nga këshilltarët e PVD-së dhe të Aleancës.

Dokumenti zyrtar i vendimit, që shoqëron postimin e Alternativës për Ndryshim, vërteton se Mustafa është emëruar si koordinator i grupit punues për programin EU PRO Plus, që menaxhon fondet nga Bashkimi Evropian.

Ky zhvillim pritet të ndezë debatet në skenën politike lokale, me opozitën që kërkon transparencë dhe ndaljen e “klientelizmit politik” në menaxhimin e fondeve të donatorëve ndërkombëtarë.

Back to top button