Qentë endacak rrezikojnë qytetarët në qendër të Preshevës

Në qendër të qytetit të Preshevës, pranë objektit të Komunës, një numër i madh i qenve endacak janë parë duke lëvizur lirshëm mes kalimtarëve. Situata po shqetëson banorët lokalë, të cilët ndihen të pasigurt për veten dhe fëmijët e tyre.
Fotografia e dërguar sot në redaksinë e Presheva.AL tregon qartë një tufë qenësh endacakë që qëndrojnë në hapësirën përpara Komunës, një zonë që frekuentohet çdo ditë nga qindra qytetarë. Prania e tyre e përhershme po shoqërohet me rrezik për sulme të mundshme, përhapje të sëmundjeve dhe ndotje të mjedisit.
Qytetarët apelojnë që institucionet komunale të ndërmarrin masa urgjente për të zgjidhur këtë problem, duke kërkuar sterilizimin dhe strehimin e qenve endacakë. Shumë prej tyre thonë se kjo situatë është jashtë kontrollit dhe përbën një kërcënim serioz për jetën publike.
Zyrtarët e Komunës ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë çështje.
