Apel për ndërgjegjësim: Mos digjni mbetjet bimore – rrezikoni tokën dhe jetën!

Komuna e Preshevës, përmes Shtabit Komunal për Shpëtim dhe Shërbimit për Situata të Jashtëzakonshme, ka lëshuar një apel të fuqishëm për ndalimin e djegies së mbetjeve bimore. Ky njoftim vjen si masë parandaluese për mbrojtjen e tokës, ambientit dhe jetës së qytetarëve.
Në komunikatë theksohet se djegia e mbetjeve bimore prodhon temperatura të larta që e kthejnë shtresën sipërfaqësore të tokës në hi e pluhur, duke dëmtuar përbërjen organike dhe duke ulur rendimentin bujqësor në vitet e ardhshme.
“Djegia nuk shërben për asnjë qëllim të dobishëm, vetëm dëmton prodhuesit bujqësorë”, thuhet në njoftim. Digjet mikroflora e tokës, përfshirë krimbat dhe mikroorganizmat që janë thelbësorë për dekompozimin e plehrave dhe ruajtjen e lagështisë së tokës.
Për më tepër, djegia e mbetjeve bimore është e ndaluar me ligj dhe dënohet me gjoba të rënda. Për personat fizikë, gjoba fillon nga 10.000 dinarë, ndërsa për persona juridikë varion nga 300.000 deri në 1.000.000 dinarë.
Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu se djegia shpesh shkakton zjarre të pakontrolluara, të cilat rrezikojnë pronat dhe jetën e qytetarëve. “ME DJEGJEN E MBETJEVE BIMORE SHPESH VIJEN DERI TE ZJARRET E PAKONTROLLUARA NË VENDET E HAPURA, TË CILAT SHKAKTOJNË DËME TË MËDHA MATERIALE DHE VIKTIMA TË NJERËZVE”, thuhet në fund të komunikatës.
Komuna e Preshevës apelon te të gjithë qytetarët që të ndërgjegjësohen dhe të zgjedhin metoda të sigurta dhe ekologjike për përpunimin e mbetjeve bujqësore, duke mbrojtur tokën për brezat e ardhshëm.

