Në Preshevë temperatura mbi 40 gradë

Instituti Hidrometeorologjik Republikan i Serbisë gjatë fundjavës ka lëshuar një paralajmërim për temperatura të larta që do të godasin Serbinë, përfshirë edhe Preshevën.
Vali i të nxehtit që do të zgjasë deri të shtunën do të jetë më i theksuar në jug dhe lindje të Serbisë, me temperatura maksimale që priten të arrijnë nga 35 deri në 40 gradë, ka paralajmëruar Instituti Hidrometeorologjik i Serbisë (RHMZ).
Të premten dhe të shtunën, lokalisht, priten edhe deri në 42 gradë Celsius, të shoqëruara me erë jugperëndimore të përforcuar.
Në veri dhe perëndim të Serbisë, temperaturat maksimale ditore sot do të bien paksa, nga 32 deri në 34 gradë, por nga nesër do të rriten sërish, nga 35 deri në 39 gradë.
Vali i të nxehtit në ditët në vijim do të rrisë më tej rrezikun për shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve në ambiente të hapura.
Rreziku më i madh është në rajonet që kanë pësuar mungesë të reshjeve gjatë periudhës së fundit, veçanërisht të premten dhe të shtunën, kur në zonat kodrinore-malore do të fryjë një erë jugperëndimore e moderuar deri e fortë.
