Trafik i rënduar në hyrje të qytetit të Preshevës – kolona të gjata deri te VM Center

Qytetarët e Preshevës po përballen me trafik të rënduar gjatë pasdites së sotme, ku rruga kryesore në hyrje të qytetit është stëngarkuar me automjete. Kolonat e gjata janë regjistruar që nga Qendra Tregtare “VM Center” deri tek qendra e Preshevës, duke shkaktuar vonesa dhe vështirësi në qarkullim.
Sipas raportimeve nga vendi i ngjarjes dhe pamjeve të siguruara nga qytetarët, një numër i madh veturash janë duke qëndruar në kolona të gjata, me lëvizje shumë të ngadaltë. Trafiku i dendur dyshohet të jetë shkaktuar nga rritja e fluksit të automjeteve gjatë sezonit të pushimeve, përfshirë edhe bashkatdhetarët që po kthehen në vendlindje.
Rekomandohet që drejtuesit e automjeteve të shmangin këtë segment rrugor nëse është e mundur dhe të përdorin rrugë alternative deri në normalizimin e qarkullimit.
