Kujdes: Mashtruesit po dërgojnë mesazhe të rreme në emër të “Putevi Srbije” për të vjedhur para nga qytetarët

Ditët e fundit, qytetarët në Preshevë dhe më gjerë kanë filluar të marrin mesazhe mashtruese (phishing) në telefonat e tyre nga numra të huaj, zakonisht nga Filipinet ose vende të tjera. Në këto mesazhe pretendohet se marrësi ka një gjobë të papaguar për një shkelje trafiku dhe se duhet të bëjë pagesë urgjente përmes një linku të dyshimtë që dërgon kinse te “Putevi Srbije”.

Në mesazh thuhet:

“Imate neplaćenu kaznu za saobraćajni prekršaj… ukoliko ne platite do 3. avgusta 2025. godine: Registracija vozila biće suspendovana… itd.”

Këto janë gënjeshtra të qëllimshme të krijuara nga hakerë për të nxjerrë informata personale dhe për të marrë para nga qytetarët. Pasi klikoni linkun dhe vendosni të dhënat e kartës bankare, ata mund t’ju zbrazin llogarinë automatikisht.

Mos i hapni këto linke dhe mos vendosni asnjë informacion personal apo bankar!

Institucionet zyrtare nuk dërgojnë njoftime të tilla përmes iMessage apo numrave të panjohur nga jashtë shtetit.

Si të mbroheni:
– Mos klikoni në linke të panjohura.
– Mos ndani të dhënat tuaja personale përmes telefonit.
– Raportoni numrin te operatori juaj mobil.
– Fshini menjëherë mesazhin.
– Njoftoni të afërmit tuaj, sidomos të moshuarit, që të mos bien pre e mashtrimit.

Back to top button