Tragjedi në Bujanoc: 19-vjeçari humb jetën pas një përleshjeje me thikë, një tjetër i plagosur rëndë

Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmë qytetin e Bujanocit, ku një i ri 19-vjeçar humbi jetën si pasojë e goditjeve me thikë, pas një konflikti mes dy grupeve të të rinjve.
Viktima, A.M., i lindur në vitin 2006, ndërroi jetë në Qendrën Klinike të Nishit për shkak të plagëve të rënda në zonën e gjoksit, ka konfirmuar Prokuroria e Lartë Publike (VJT) në Vranjë.

Sipas informacioneve jozyrtare, një tjetër i ri është plagosur rëndë gjatë përplasjes dhe ndodhet në gjendje kritike, ndërsa disa persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore dhe po trajtohen në Qendrën Shëndetësore të Vranjës.

“Më 6 gusht 2025, në Bujanoc ka ndodhur një konfrontim fizik midis disa personave, në të cilin A.M. (2006) ka pësuar lëndime të rënda kërcënuese për jetën nga plagë me thikë në gjoks dhe ka ndërruar jetë në spital”, thuhet në njoftimin zyrtar të nënshkruar nga kryeprokurorja publike, Danijela Trajkoviq, përcjell preshevacom.

Policia dhe ekipet mjeko-ligjore kanë kryer hetime në vendin e ngjarjes, ndërkohë që autoritetet janë në kërkim të personit ose personave përgjegjës për këtë akt të rëndë kriminal.

“Po punojmë për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar autorin e vrasjes dhe për të hetuar nëse ka pasur edhe vepra të tjera penale kundër jetës dhe trupit të njeriut”, thuhet nga Prokuroria.

VJT njoftoi gjithashtu se do të dalë me një deklaratë të plotë për media pas përfundimit të hetimeve dhe grumbullimit të provave.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim dhe tronditje në opinionin publik të Bujanocit dhe më gjerë.

Back to top button