Presheva me pagën mesatare më të ulët në Serbi – një tregues i neglizhimit politik dhe ekonomik

Sipas të dhënave të fundit të Republički zavod za statistiku, paga mesatare neto në Serbi për qershor 2025 arrin në 107.075 dinarë, duke u rritur me 6,9% realisht krahasuar me vitin e kaluar.

Por ndërsa Serbia zyrtare feston rritjen e pagave, Presheva mbetet në fund të listës me vetëm 73.025 dinarë, shumë më poshtë se mesatarja e vendit dhe disa herë më pak se në Beograd, ku paga mesatare kalon 177.000 dinarë.

Kjo situatë është rezultat i një kombinimi të dyanshëm: nga njëra anë, shteti serb vazhdon të diskriminojë Preshevën duke e lënë jashtë projekteve zhvillimore dhe investimeve strategjike; nga ana tjetër, edhe pushteti lokal nuk ka ofruar vizion të qartë për të tërhequr investime, për të hapur vende pune dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Në vend që të luftojnë për barazi dhe të ngrenë zërin ndaj qeverisë qendrore, shumë herë pushtetarët lokalë janë mjaftuar me politika të vogla partiake dhe retorikë boshe. Rezultati i kësaj është se Presheva mbetet një nga komunat më të varfra në Serbi, pa perspektivë për të rinjtë që çdo ditë e më shumë largohen drejt Perëndimit.

Paga mesatare më e ulët në Preshevë nuk është vetëm statistikë, por pasqyrë e padrejtësive të dyfishta – të shtetit dhe të pushtetit lokal. Nëse nuk ndryshon kjo qasje, Lugina e Preshevës do të mbetet simbol i varfërisë dhe neglizhimit institucional. Është koha që përfaqësuesit lokalë të dalin nga gjumi politik dhe të mbrojnë realisht interesat e qytetarëve që i kanë zgjedhur.

Back to top button