“Kodi Penal ndryshon – fundi i publikimit të videove intime pa leje”

Në Draftin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Kodit Penal është propozuar futja e një vepre penale, e njohur me emrin kolokial „pornografia hakmarrëse“.
Sipas burimeve të Ministrisë së Drejtësisë, kjo vepër e re parashikon „keqpërdorimin e fotografisë, portretit, regjistrimit audio apo dokumenteve me përmbajtje seksualisht eksplicite“ me qëllim mbrojtjen e individëve nga shpërndarja, ndryshimi, publikimi pa leje, ose kërcënimi me shpërndarje të materialit intim që i përket tyre.
Prokuroria do të veprojë sipas detyrës zyrtare pa pasur nevojë për kërkesë nga pala e dëmtuar.
Në arsyetimin e Draftit, Ministria e Drejtësisë thekson se kjo vepër ndëshkon veprime që shkaktojnë shkelje serioze të të drejtave të privatësisë, dinjitetit dhe integritetit psiko-fizik, me një fokus të veçantë në format e dhunës dixhitale.
Kjo vepër përfshin forma të ndryshme të veprimit pa leje, përfshirë:
shpërndarjen ose vënien në dispozicion të palëve të treta të videove, fotografive, portreteve, regjistrimeve audio apo dokumenteve me përmbajtje seksualisht të eksplicite, pa lejen e personit të përfshirë,
krijimin ose modifikimin e materialit ekzistues, me qëllim që të duket si i vërtetë,
kërcënimin se do të publikosh materialin,
dhe vënien e materialit në dispozicion të një audience më të madhe përmes teknologjive të informacionit dhe komunikimit.
Në rastet kur vepra kryhet kundër një fëmije, dënimi me burg parashikohet të jetë një deri tetë vjet, ndërsa nëse vepra kryhet nga një funksionar publik në ushtrimin e detyrës ndaj një fëmije, dënimi rritet në dy deri në dhjetë vjet burg.
Për format më bazë të kësaj vepre, dënimi i parashikuar është nga tre muaj deri në tre vjet burg.
Ministria e Drejtësisë thotë se këto ndryshime synojnë të forcojnë sigurinë ligjore, të mbrojnë të drejtat themelore të qytetarëve dhe të sigurojnë që Serbia të përmbushë obligimet ndërkombëtare në fushën e të drejtës penale.
Procesi i debatit publik për Draftin e ligjit parashikohet të zgjasë deri më 1 tetor.
