Komuna e Preshevës pajiset me 90 iPad dhe tabletë, falë donacionit nga Labdoo Hub Zürich

Komuna e Preshevës ka pranuar një donacion të çmuar prej 90 iPad-ësh dhe tabletësh, falë bashkëpunimit me ndërmarrjen Labdoo.org (Zvicër) – Labdoo Hub Zürich, si dhe angazhimit të veçantë të bashkëqytetarit nga Presheva, Lulzim Raqipi, i cili jeton dhe vepron në Zvicër.

Në një postim në rrjetin social facebook, kryetarja e komunës, znj. Ardita Sinani, shprehu mirënjohjen e saj për këtë kontribut të rëndësishëm që do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e kapaciteteve institucionale dhe në procesin e digjitalizimit të administratës lokale.

Sipas njoftimit, pajisjet do të kontribuojnë në:

– Digjitalizimin e punës së Kuvendit Komunal,
– Digjitalizimin e proceseve administrative,
– Rritjen e kapaciteteve institucionale.

Kryetarja Sinani e cilësoi këtë gjest si një shembull frymëzues të solidaritetit ndërkombëtar dhe të lidhjes së fortë që diaspora ka me vendlindjen.

“Një falënderim i veçantë për z. Raqipi, i cili me përkushtim bëri të mundur këtë donacion me ndikim afatgjatë për komunitetin tonë. Ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të frytshëm në të mirë të komunës sonë,” – u shpreh znj. Sinani.

Ky projekt pritet të sjellë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës komunale dhe përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve të Preshevës.

Back to top button