Alarm për bombë edhe në Preshevë: nxënësit lirohen nga mësimi

Mëngjesin e sotëm në adresat elektronike të disa shkollave fillore dhe të mesme në Serbi kanë mbërritur njoftime për vendosje të bombave. Për këtë arsye nxënësit janë evakuuar me urgjencë, ndërsa forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë dalë në terren dhe kanë nisur kontrollet.

Paniku më i madh është regjistruar në Prijepolje, Novi Pazar, Vranjë dhe tashmë edhe në Preshevë, ku shkollat kanë ndërprerë procesin mësimor. Fëmijët janë liruar nga mësimi dhe prindërit janë njoftuar të shkojnë t’i marrin.

Në Vranjë njoftimet kanë arritur pothuajse në të gjitha institucionet arsimore. Fillimisht dyshimi për bombë u raportua në Gjimnazin “Bora Stanković”, pas së cilës policia filloi kontroll të detajuar. Prindërit e nxënësve të shkollës fillore “Vuk Karadžić” u informuan përmes grupeve në Viber që të shkonin menjëherë të merrnin fëmijët, pasi mësimi nuk do të vazhdonte.

Për shkak të alarmit, në shkollën “Radoje Domanović” është anuluar edhe kontrolli sistematik i planifikuar, gjë e konfirmuar edhe nga Qendra Shëndetësore e Vranjës.

Edhe pse dyshohet se bëhet fjalë për një tjetër sulm hakerësh në adresat zyrtare të shkollave, policia nuk përjashton asnjë mundësi dhe thekson se të gjitha rastet po hetohen me kujdes. Deri tani nuk ka informacione për gjetje të ndonjë pajisjeje shpërthyese, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Back to top button