Maqedonia e Veriut nga sot pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në euro (SEPA)

Siç njoftoi Ministria për Çështje Evropiane e Maqedonisë së Veriut, kjo do t’i mundësojë qytetarëve dhe kompanive maqedonase të kryejnë dhe të marrin pagesa në euro me vende pjesëmarrëse në SEPA sipas të njëjtave kushte sikur në Bashkimin Evropian.
„Sot, me fillimin e zbatimit praktik për transaksione më të lehta, më të shpejta dhe më të lira në euro, Maqedonia e Veriut zyrtarisht është bërë pjesë aktive e Hapësirës Evropiane të Pagesave, që është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e integrimit me tregun unik evropian“, theksohet në komunikatën e ministrisë.

Anëtarësimi në SEPA është pjesë e aktiviteteve brenda Planit të Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor, që synon përshpejtimin e integrimit ekonomik të vendeve të rajonit me BE-në përmes aksesit më të madh në tregun unik, stimulimit të investimeve dhe përmirësimit të shërbimeve financiare.

Ministrja e Financave e Maqedonisë së Veriut, Gordana Dimitrieska-Kočoska, tha se Këshilli Evropian i Pagesave ka miratuar aplikimet e nëntë bankave maqedonase në skemën për transferta kreditore që operojnë në SEPA, ndërsa pritet që tre banka të tjera t’i bashkohen deri në fund të vitit.

“Kjo do të thotë se vendi praktikisht bëhet pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në euro, që do të lejojë qytetarët dhe kompanitë të kryejnë pagesa në euro në të njëjtin mënyrë si në vendet e Bashkimit Evropian. Pritet që anëtarësimi në SEPA të sjellë përfitime të shumta për qytetarët, kompanitë dhe ekonominë në përgjithësi”, tha Dimitrieska-Kočoska.

Ajo theksoi se priten pagesa ndërkufitare më të shpejta, më të sigurta dhe më të lira në euro, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për ekonominë maqedonase, e cila karakterizohet nga një nivel i lartë i hapjes tregtare dhe volum i madh i pagesave ndërkufitare.

Maqedonia e Veriut kishte dorëzuar kërkesën për anëtarësim në SEPA më 10 korrik 2024, dhe kjo kërkesë është pranuar më 6 mars 2025 nga Këshilli Evropian i Pagesave. Zona SEPA përfshinë 41 vende në Evropë.

Back to top button