Shqiprim Arifi reagon ashpër pas zgjedhjeve: “Vetëm rreth 25% e Kosovës ka votuar për VV-në”

Ish Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë, duke shprehur kritika të ashpra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti.

Sipas Arifit, mbështetja për VV-në nuk përfaqëson shumicën reale të popullit të Kosovës. Ai thekson se nga rreth 2 milionë votues të regjistruar, vetëm 900 mijë kanë marrë pjesë në votime dhe rreth 450 mijë prej tyre kanë votuar për Vetëvendosjen, çka sipas tij përkthehet në rreth 25% të elektoratit të përgjithshëm.

“Vota për Albinin dhe VV-në nuk e bën më pak rrenë dhe as nuk i jep më shumë të drejtë apo të vërtetë,” shkruan Arifi, duke shtuar se shumica, sipas tij, nuk është gjithmonë pasqyrim i së vërtetës dhe se kjo mund të shërbejë si bazë për mashtrim dhe keqqeverisje në të ardhmen.

Në reagimin e tij, Arifi përdor gjuhë të ashpër, duke akuzuar Kurtin për “rrenë të dëshmuar për më shumë se 20 vjet”, ndërsa thekson se edhe vetë votuesit e tij janë të vetëdijshëm për këtë, por sipas tij “inati e ka zbehur mendjen dhe logjikën e shëndoshë”.

Ai ka folur edhe për diasporën, duke deklaruar se ajo nuk duhet fajësuar për rezultatin zgjedhor, por sipas tij përgjegjësia bie mbi opozitën, e cila “nuk ka lider dhe as strategji”.

“Albini nuk lëshoi pe, e pse të lëshojmë pe, ne? E vërteta është mbi votën e inatit apo shumicës së inatit dhe ia vlen të qëndrosh për të, edhe nëse je i vetëm kundër të gjithëve,” shkruan ndër të tjera Arifi.

Postimi është shoqëruar edhe me një ilustrim simbolik, ku një individ përballet me një turmë të madhe, me mesazhin “Yes, you all are wrong”, duke nënvizuar idenë e qëndrimit kundër shumicës.

Shqiprim Arifi ka theksuar se që nga viti 2017 nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje dhe se, sipas tij, do të vazhdojë të njëjtin pozicion edhe në të ardhmen.

Back to top button