Që nga 1 prilli, më shumë familje kanë të drejtë për shtesën për fëmijë: rritet kufiri i të ardhurave

Që nga 1 prilli hyjnë në fuqi rregulla të reja për të drejtën mbi shtesën për fëmijë, të cilat do të lejojnë që një numër më i madh i qytetarëve të përfitojë këtë ndihmë.
Siç raportojnë mediat, kufiri i të ardhurave për çdo anëtar të familjes është rritur nga rreth 13.000 në 18.000 dinarë.
E drejta për shtesën për fëmijë përcaktohet ende mbi bazën e të ardhurave mujore të familjes, që llogariten duke ndarë të ardhurat totale për të gjithë anëtarët e familjes. Nëse ky shumë nuk e kalon 18.000 dinarë për anëtar, familja ka të drejtë të marrë këtë ndihmë.
Rritja e kufirit është bërë për të përfshirë më shumë familje që, për shkak të rritjes së pagave, më parë nuk kishin të drejtë për shtesën.
Shembull praktik:
Një familje me katër anëtarë që fiton 70.000 dinarë në muaj ka të ardhura 17.500 dinarë për anëtar. Sipas rregullave të mëparshme, kjo familje nuk kishte të drejtë për shtesën për fëmijë, ndërsa sipas rregullave të reja tani e plotëson kushtin.
Për disa kategori të veçanta të popullsisë, kufiri është rritur edhe më shumë. Ai mund të arrijë deri në 21.600 ose 23.400 dinarë për anëtar të familjes. Këto lehtësime vlejnë për grupet më të ndjeshme, si prindërit vetëmbajtës dhe familjet në situatë të vështirë ekonomike.
Qytetarëve që më parë nuk plotësonin kushtet u këshillohet të kontrollojnë sërish statusin e tyre, pasi ndryshimet hyjnë në fuqi në favor të tyre.
