Nga 1 prilli, TAG i detyrueshëm për mjetet e rënda në Serbi

Nga data 1 prill 2026, në Serbi hyn në fuqi përdorimi i detyrueshëm i pajisjes elektronike TAG për automjetet e rënda (kamionët), si pjesë e sistemit të ri për pagesën e autostradave.

Ky ndryshim shënon fillimin e heqjes graduale të pagesës manuale të taksës rrugore dhe kalimin në një sistem modern elektronik pa ndalesa.

Sipas ndërmarrjes publike “Putevi Srbije”, pagesa e taksës për kamionët do të bëhet vetëm përmes pajisjes TAG, e cila regjistrohet automatikisht gjatë kalimit nën portale elektronike, pa nevojë për ndalim në pika pagesash.

Fillimisht, ky sistem do të zbatohet për mjetet e kategorisë së katërt (automjetet e rënda), ndërsa në të ardhmen pritet të përfshijë edhe automjetet e tjera.

Një nga segmentet e para ku zbatohet plotësisht sistemi pa barriera është Unaza e Beogradit, ku nga 1 prilli kamionët duhet patjetër të përdorin TAG për pagesën e taksës rrugore.

Qëllimi i këtij sistemi është të zvogëlojë kolonat dhe pritjet në autostrada, si dhe të mundësojë qarkullim më të shpejtë, sidomos gjatë sezonit turistik.

Për përdorimin e sistemit, shoferët duhet të regjistrojnë pajisjen TAG në platformën “Toll4All”. Ata që nuk e posedojnë ende këtë pajisje mund ta blejnë online ose në pikat e autorizuara të shitjes.

Back to top button