Lajme

Seanca më 12 shtator, politikanët e Luginës të (pa) ndarë!

Takimi i tretë i spektrit politik të Luginës nuk ka dhënë rezultatet e duhura rreth daljes me një qëndrim të kërkesave të shqiptarëve, respektivisht mbajtjes së përbashkët të mbledhjes së këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve të komunave të Luginës së Preshevës.

Pas marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, liderët shqiptarë morën iniciativën për koordinim dhe dalje me një qëndrim të përbashkët rreth situatës së re të krijuar.

Si duket, koordinimi nuk po del ashtu si u mendua. Përveç një takimi në të cilin ishin prezent pothuajse të gjithë liderët kryesorë politik, dy takimet e radhës, i fundit ditën e mërkurë, gati dështuan, duke pas mungesa në grupin punues.

Kryetari i Këshillit Kombëtar, Jonuz Musliu, iniciator për thirrjen e takimeve, i tha sot portalit informativ Titulli.com se kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) Riza Halimi, ka munguar dy mbledhjet e fundit.

Grupi punues ka vendosur që më 12 shtator të mbahet mbledhja e këshilltarëve të tre kuvendeve shqiptare, derisa Musliu ka dërguar njoftimin edhe kryetarit të PVD-së dhe pret nga ai një përgjigje.

Portali informativ Titulli.com ka tentuar sot të marrë edhe qëndrimin e Halimit, i cili për arsye të panjohura nuk u lajmërua në telefon.

Spektri politik i Luginës ka reaguar fuqishëm ndaj marrëveshjes për Asocijacionin e komunave serbe në Kosovë, duke kërkuar reciprocitet që edhe shqiptarët të gëzojnë të drejtat e njëjta edhe në Luginë të Preshevës. /Titulli.com/

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button