Shqiptarë e serbë kontrollojnë tregun e heroinës në Zvicër
E përditshmja serbe “Juzni Novosti” ka shkruar se në mesin e shqiptarëve dhe zviceranëve të tjerë që drejtojnë tregun e heroinës në Zvicër, të përfshirë ka edhe tregtarë nga Nishi i Serbisë, që atje shkojnë si turistë dhe studentë.
Autoritetet e policicë zvicerane i kanë thënë të përditshmes serbe se shumica e tregtarëve të drogës rrjetin e kanë shtrirë në lindje të vendit alpin.
Përderisa policia në Nish konfirmon se çdo vit në Zvicër arrestohen rreth 20 persona nga Nishi për shpërndarje, policia federale zvicerane nuk ka specifikuar numra.
Megjithatë, siç thonë ata për “Juzni Novosti”, pas shqiptarëve serbët janë tregtarët më të mëdhenj të heroinës në Zvicër. Sipas tyre, në të shumtën e rasteve, tregtarët serbë nuk janë banorë të Zvicrës, por aty shkojnë si turistë apo regjistrohen në kolegje të ndryshme.
“Nishi është vendi më i shpeshtë i origjinës të tregtarëve të heroinës në Zvicër. Deri tani shumica e tyre janë aktivë në zonën lindore të vendit, e veçanarisht në kantonin e qytetit St. Gallen, të cilët shpesh arrestohen në Cyrih”, ka thënë policia federale zvicerane.
Ndërkaq, sipas policisë zvicerane, në perëndim të vendit, të rinjtë serbë nuk luajnë rol të madh në tregun e heroinës.
Policia zvicerane thotë se shumica e serbëve kapen me përmbajtje të vogla, me vetëm pak gramë.
“Kjo është mënyra se si dillerët serbë që tregtojnë kokainë veprojnë, duke hyrë në vend me sasi të caktuar të drogës, nga disa gramë e deri te 1 apo 2 kilogramë. Pastaj e shesin atë me pakicë, dhe largohen nga vendi kur të përfundojnë punë”, thotë policia.
Rruga e trafikimit të narkotikëve nga Ballkani shkon kryesisht nga Afganistani, Pakistani dhe Turqia drejt Zvicrës dhe vendeve të tjera të BE-së.
“Viteve të fundit kemi parë se kjo rrugë po shmanget, duke shkuar nëpër vendet që nuk janë anëtare të BE-së, për t’iu ikur kontrollave të rrepta kufitare”, ka thënë Policia për të përditshmen serbe.