Lajme

Partitë serbe 27, shqiptarët 8 mandate në Medvegjë

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të zhvilluara të dielën në Medvegjë kanë votuar 5.236 nga 10.465 votues të regjistruar, respektivisht 50.02 për qind. Suksesin më të madh e ka arritur koalicioni “Aleksandar Vuçiq” (PPS-PSS-PUPS), duke marrë besimin e 3.098 qytetarëve, apo 60 përqind, tregojnë rezultatet e fundit të Komisionit Komunal Zgjedhor.

“Për koalicionet eventuale do të vendosim pas konsultimet në kryesinë e partisë. Sa na përket neve këtu, dëshirojmë të tërheqim të gjithë njerëzit e aftë pa marrë parasysh përkatësinë partiake, njerëz që dëshirojnë që në Medvegjë të hapen vende të reja pune dhe të ndërpritet shpërngulja”, është shprehur Nebojsha Arsiq, i pari në listën e koalicionit fitues, transmeton Titulli.com.

Koalicioni “Aleksandar Vuçiq” (PPS-PSS-PUPS), nga 35 ulëse sa ka parlamenti lokal, ka siguruar shumicën, 22 vende.

E dyta për nga numrit i votave të fituara është koalicioni i Partisë Demokratike të Nagip Arifit dhe grupi qytetarë i Fehmi Behës, i cili ka grumbulluar 725 vota, apo 5 mandate në Kuvendin Komunal.

Për grupin qytetarë “Për Jabllanicën e Epërme” ka votuar 690 votues ose 5 ulëse në Kuvend dhe në vendin e katërt është koalicioni i Partisë për Veprim Demokratik dhe Unionit Demokratik Shqiptar me 456 vota të qytetarëve, apo 3 mandate.

Koalicioni i kaluar në Medvegjë që drejtohej nga grupi qytetarë “Për Jabllanicën e Epërme” në përbërje kishte edhe gjashtë këshilltarë nga radhët e PVD-së dhe UDSH-së, që është dy ulëse më pak se rezultati i zgjedhjeve lokale të 13 shtatorit. /Titulli.com/

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button