Lugina voton e bashkuar: “Koalicioni Shqiptar” me numrin 17 synon më shumë deputetë në Kuvendin e Serbisë

Qytetarët e Serbisë po votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Votimi zhvillohet në një klimë të tensionuar politike, pas protestave të vazhdueshme kundër pushtetit të presidentit Aleksandër Vuçiç.

Për shqiptarët e Luginës, këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë. Tetë parti shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja garojnë së bashku në listën “Koalicioni Shqiptar”, me qëllim që të rrisin përfaqësimin e tyre në Kuvend.

Lista kryesohet nga Shaip Kamberi, mban numrin 17 dhe është shpallur zyrtarisht si listë e pakicës kombëtare shqiptare. Në koalicion bëjnë pjesë Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma, Alternativa për Luginën dhe Unioni Demokratik Shqiptar.

Marrëveshja për listën e përbashkët u arrit në Prishtinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se më 29 shtator priti drejtuesit e partive shqiptare dhe takimi përfundoi me marrëveshjen e tyre për të garuar së bashku.

Bartësi i listës, Shaip Kamberi, gjatë fushatës e cilësoi këtë bashkim si përgjigje politike ndaj “partisë-shtet” të Vuçiqit dhe si qëndrim të përbashkët për barazi, dinjitet dhe të drejtën që zëri i shqiptarëve të dëgjohet. Ai shtoi se bashkimi i ngarkon partitë edhe me përgjegjësinë për të punuar bashkë dhe për t’i mbajtur zotimet.

Shembulli i së kaluarës u jep shpresë votuesve: në vitin 2020, kur të gjitha partitë shqiptare të Luginës garuan për herë të parë në një listë të vetme, shqiptarët fituan tri ulëse në Parlamentin e Serbisë.

Ndryshe nga partitë e tjera, listat e pakicave kanë një përparësi. Për partitë që nuk përfaqësojnë pakica kombëtare pragu është 3% e votave të vlefshme, ndërsa listat e pakicave përfitojnë nga pragu natyror dhe marrin pjesë në ndarjen e mandateve edhe pa e arritur pragun e zakonshëm. Kjo do të thotë se çdo votë e shqiptarëve të Luginës peshon drejtpërdrejt në numrin e deputetëve.

Back to top button