Qytetari merr iniciativën dhe mbyll gropat në rrugën tranzit te Stacioni Hekurudhor në Norçë

Edhe pse mirëmbajtja e rrugëve është përgjegjësi e institucioneve kompetente, mungesa e ndërhyrjes në kohë ka bërë që shpesh qytetarët t’i marrin vetë gjërat në dorë. Një gjest mjaft human dhe shembullor është regjistruar së fundmi në rrugën tranzit që dërgon drejt Stacionit Hekurudhor në fshatin Norçë të Preshevës.

Për shkak se kjo rrugë prej kohësh ishte e dëmtuar dhe e mbushur me gropa të rrezikshme për automjetet, një qytetar ka vendosur të veprojë vullnetarisht.

Me mjetet e veta personale, duke siguruar materialin e nevojshëm dhe përdorur lopatën e thasët me material mbushës, ai ka dalë në teren dhe ka riparuar me duart e veta gropat më kritike të këtij aksi.

Ky veprim solidar ka marrë falënderime të shumta nga shoferët dhe banorët e zonës, të cilët çdo ditë përballeshin me dëmtime të veturave në këtë rrugë. Njëkohësisht, kjo iniciativë është edhe një apel i hapur për autoritetet përkatëse që të kujdesen më shumë për infrastrukturën rrugore në komunën tonë.

Back to top button