Sulm me thikë para Ambasadës së Izraelit në Beograd, në gjithë Serbinë shpallet niveli më i lartë i rrezikut nga terrorizmi

Një pjesëtar i Xhandarmërisë që ruante Ambasadën e Izraelit në Beograd është sulmuar me thikë pak pas mesnatës, rreth orës 00:15 të së mërkurës, njoftoi ministri i Brendshëm në detyrë, Ivica Daçiq.
Sipas Daçiqit, sulmuesi, një i mitur, e sulmoi xhandarin me dy thika. Xhandari qëlloi në vetëmbrojtje dhe e vrau sulmuesin. Ai pësoi një plagë të lehtë në fytyrë dhe, sipas ministrit, ndihet mirë dhe pritet të lëshohet nga spitali po atë ditë.
Identiteti i sulmuesit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Sipas informacioneve të para, ai dyshohet të jetë nga Shabaci. Daçiq e cilësoi ngjarjen si sulm terrorist dhe tha se sulmuesi ishte ndjekur më parë nga shërbimet e sigurisë. Motivi dhe rrethanat e plota janë ende nën hetim.
Pas sulmit, Daçiq shpalli nivelin e kuq, më të lartin, të rrezikut nga terrorizmi në gjithë Serbinë. Kjo nënkupton prani më të madhe të policisë dhe kontrolle më të rrepta në objektet me rëndësi të veçantë për sigurinë, në infrastrukturë dhe në vende ku mblidhen shumë njerëz.
Niveli i kuq vlen edhe për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, prandaj qytetarët mund të hasin më shumë kontrolle policore gjatë ditëve në vijim.
