Sa vota i duhen Koalicionit Shqiptar për një deputet në Kuvendin e Serbisë?

Kur të dalin rezultatet sonte, pyetja kryesore për Luginën do të jetë sa deputetë do të fitojë “Koalicioni Shqiptar”. Përgjigjja varet nga dy gjëra: sa vota merr lista dhe sa është dalja në gjithë Serbinë.
Partitë e zakonshme duhet të fitojnë së paku 3 për qind të votave për të hyrë në Kuvend. Listat e pakicave kombëtare, si Koalicioni Shqiptar, marrin pjesë në ndarjen e mandateve edhe nëse nuk e arrijnë këtë prag.
Përveç kësaj, që nga ndryshimi i ligjit në vitin 2020, votat e listave të pakicave rriten me 35 për qind gjatë llogaritjes së mandateve. Kjo do të thotë se një listë pakice ka nevojë për më pak vota se partitë e tjera për të njëjtin mandat.
Kuvendi i Serbisë ka 250 deputetë. Sa më shumë njerëz të votojnë në gjithë Serbinë, aq më shumë vota duhen për çdo mandat. Me daljen e lartë të sotme, që deri në ora 17:00 arriti në 60,9 për qind, “çmimi” i një mandati do të jetë më i lartë se në zgjedhjet e kaluara.
Sipas llogaritjeve të Presheva.AL, në varësi të daljes përfundimtare (65 deri në 75 për qind), Koalicionit Shqiptar do t’i duhen afërsisht:
– 1 mandat: rreth 12.000 – 13.500 vota
– 2 mandate: rreth 24.000 – 27.000 vota
– 3 mandate: rreth 36.000 – 40.000 vota
Këto janë vlerësime të përafërta. Numri i saktë do të dihet vetëm pas numërimit të të gjitha votave, sepse varet edhe nga sa lista do ta kalojnë pragun.
Për krahasim, në zgjedhjet e vitit 2022, kur dalja ishte më e ulët, lista e Shaip Kamberit fitoi një mandat me rreth 10.000 vota.
