Ardita Sinani: Arritje historike, dy mandate për shqiptarët dhe në garë për të tretin

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e ka quajtur rezultatin e “Koalicionit Shqiptar” në zgjedhjet parlamentare në Serbi “arritje historike”.
“Dy mandate për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, në garë për të tretin!”, ka shkruar Sinani në Facebook.
Sipas rezultateve paraprake që ajo ka publikuar, Koalicioni Shqiptar ka siguruar 27.230 vota. Me rritjen prej 35 për qind që u jepet listave të pakicave kombëtare gjatë ndarjes së mandateve, kjo shifër vlen sa 36.761 vota.
“Bashkimi ynë politik po jep rezultate historike!”, shkruan Sinani, e cila falënderoi qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që votuan, si dhe të gjithë ata që kontribuuan në bashkimin e partive shqiptare. Ajo shprehu mirënjohje të veçantë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mbështetjen dhe angazhimin e tij në bashkimin e faktorit politik shqiptar.
“Të bashkuar, më të fortë në përfaqësim!”, e përmbyll ajo postimin.
Sipas projeksionit të CeSID-it, me 56 për qind të mostrës së përpunuar, Koalicioni Shqiptar fiton dy mandate, të cilat u takojnë Shaip Kamberit dhe Visar Mehmetit. Rezultatet zyrtare do t’i shpallë Komisioni Republikan i Zgjedhjeve.
