Maqedonia e Veriut planifikon pikë të përbashkët kufitare hekurudhore me Serbinë

Maqedonia e Veriut po planifikon të vendosë një pikë të përbashkët kufitare hekurudhore me Serbinë, me qëllim përshpejtimin e transportit të mallrave dhe shkurtimin e kohës së pritjes në kufi. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski.
Sipas ministrit, modeli i ri do të funksionojë sipas parimit “One Stop Shop”, ku kontrollet kufitare do të kryhen vetëm një herë në një pikë të përbashkët, në vend të ndalesave të ndara në të dyja anët e kufirit. Ky sistem tashmë është zbatuar me sukses në kufirin hekurudhor mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, duke përshpejtuar ndjeshëm qarkullimin e trenave të mallrave.
Nikolloski njoftoi gjithashtu se është përfunduar rikonstruksioni i unazës hekurudhore për transportin e mallrave rreth Shkupit. Falë këtij investimi, trenat e mallrave nuk do të kalojnë më nëpër qendrën e qytetit, çka do të ulë ndotjen dhe do të shkurtojë kohën e transportit.
Sipas autoriteteve maqedonase, këto projekte synojnë ta bëjnë Korridorin X më efikas dhe ta rrisin rëndësinë e Maqedonisë së Veriut si një nyje e rëndësishme për transportin hekurudhor të mallrave në rajon.
