Trotineti elektrik nuk është lodër – fëmijët nën 14 vjeç nuk lejohen t’i ngasin

Agjencia për Sigurinë në Trafik (ABS) u ka bërë apel të gjithë prindërve që gjatë pushimeve verore të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e fëmijëve gjatë përdorimit të trotinetëve elektrikë, duke rikujtuar se ky mjet transporti nuk është lodër dhe i nënshtrohet rregullave strikte ligjore.
Sipas rregulloreve në fuqi, fëmijët nën moshën 14-vjeçare e kanë të ndaluar me ligj ngasjen e trotinetëve elektrikë në rrugët publike. Po ashtu, për të gjithë përdoruesit e moshës 14 deri në 18 vjeç, mbajtja e helmetës mbrojtëse është e detyrueshme.
Rregullat kryesore që duhet t’i dini:
– Ku lejohet lëvizja: Trotinetët elektrikë duhet të ngasën në shtigjet e caktuara të bicikletave. Nëse këto shtigje mungojnë, lëvizja lejohet në rrugë ku kufizimi i shpejtësisë është deri në 50 km/h (për persona mbi 18 vjeç).
– Ndalimi i transportit të personave të tjerë: Trotineti elektrik është i destinuar vetëm për një person. Bartja e fëmijëve apo personave të tjerë është e ndaluar dhe paraqet rrezik të madh për aksidente.
– Mjetet mbrojtëse dhe ndriçimi: Gjatë natës ose në kushte me pamje të kufizuar, ngasësit duhet të mbajnë jelekë reflektues dhe të kenë drita të rregullta funksionale në trotinet.
-Përdorimi i telefonit dhe kufjeve: Ndalohet rreptësisht përdorimi i telefonit celular dhe mbajtja e kufjeve në të dyja veshët gjatë ngasjes.
Agjencia apelon te prindërit në Luginën e Preshevës dhe më gjerë që të mos u blejnë apo u japin trotinetë elektrikë fëmijëve që nuk e kanë arritur moshën e lejuar ligjore, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së më të rinjve.
