KRZ, 100% e vendvotimeve: Koalicioni Shqiptar me 27.683 vota dhe dy mandate në Kuvendin e Serbisë

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (KRZ) ka përpunuar të gjitha 8.392 vendvotimet e zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit. Sipas këtyre të dhënave, “Koalicioni Shqiptar” ka marrë 27.683 vota, ose 0,62 për qind të votave në gjithë Serbinë.
Si listë e pakicës kombëtare, Koalicioni Shqiptar nuk ka nevojë të kalojë pragun prej 3 për qind dhe përfiton rritjen prej 35 për qind gjatë ndarjes së mandateve. Me këtë rezultat, sipas llogaritjeve të Presheva.AL, lista fiton dy mandate, të cilat u takojnë Shaip Kamberit dhe Visar Mehmetit.
Fituese e zgjedhjeve është Lista Studentore, me 2.354.417 vota (53,01 për qind), ndërsa lista “Serbia e Bashkuar” e Aleksandër Vuçiqit ka 1.731.323 vota (38,98 për qind). Lista e Ivica Daçiqit, me 2,13 për qind, mbetet jashtë Kuvendit.
Në zgjedhje votuan 4.444.310 nga 6.451.292 votues të regjistruar, që e çon daljen përfundimtare në 68,89 për qind.
Pas përfundimit të numërimit, KRZ duhet të shpallë zyrtarisht rezultatet dhe ndarjen e mandateve, ndërsa Kuvendi i ri duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga shpallja.
