Edhe 3 orë për të votuar: çfarë duhet të dini para se të dilni

Vendvotimet në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si në gjithë Serbinë, qëndrojnë të hapura deri në ora 20:00. Ata që ende nuk kanë votuar kanë edhe tri orë kohë.
Çfarë ju duhet për të votuar:
– Letërnjoftimi ose pasaporta e vlefshme. Pa dokument identifikimi nuk mund të votoni.
– Njoftimi për votim nuk është i detyrueshëm. Mund të votoni edhe nëse nuk ju ka ardhur njoftimi në shtëpi.
– Votoni në vendvotimin ku jeni të regjistruar, zakonisht më i afërti me adresën tuaj.
Votuesit që ndodhen në vendvotim në ora 20:00 kanë ende të drejtë të votojnë, edhe nëse radha nuk ka përfunduar.
Shqiptarët e Luginës garojnë në këto zgjedhje me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”, që në fletëvotim mban numrin 17.
Deri në ora 14:00, në Preshevë kishin votuar 9.110 qytetarë, ose rreth 20 për qind e votuesve.
