Ndryshon pamja e pasaportës serbe – ja deri kur vlejnë të vjetrat

Autoritetet në Serbi kanë miratuar ndryshime të reja që lidhen me dizajnin dhe sigurinë e pasaportës, duke sjellë një dokument të ri me pamje dhe elemente të përditësuara.
Sipas njoftimeve zyrtare, ndryshimet janë publikuar në “Gazetën Zyrtare” dhe përfshijnë modifikime në ngjyrë, dizajn dhe elemente mbrojtëse të pasaportës. Pasaporta e re do të ketë një ngjyrë të ashtuquajtur “burgundi e kuqe”, në vend të nuancës aktuale bordo, si dhe faqe të brendshme me dizajn të ri grafik dhe më shumë elemente sigurie.
Po ashtu, çdo faqe e pasaportës do të ketë dizajn të ndryshëm, ndërsa janë përmirësuar edhe detajet që lidhen me mbrojtjen nga falsifikimi.
Megjithatë, qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen për dokumentet aktuale. Pasaportat ekzistuese do të vazhdojnë të jenë të vlefshme deri në skadimin e afatit të tyre dhe nuk do të ketë nevojë për zëvendësim të menjëhershëm.
Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi pak ditë pas publikimit në “Gazetën Zyrtare”, ndërsa dokumentet e reja do të fillojnë të lëshohen gradualisht.
Ky është një hap i radhës drejt modernizimit të dokumenteve të udhëtimit në Serbi dhe rritjes së sigurisë së tyre, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
