Nga 23 korriku pacientët me diabet të tipit 1 përfitojnë pajisje falas

Një lajm i rëndësishëm për të gjithë pacientët me diabet të tipit 1 në Preshevë dhe mbarë Serbinë. Duke filluar nga 23 korriku, personat e diagnostikuar me këtë sëmundje do të kenë në dispozicion një gamë më të gjerë të pajisjeve mjekësore, të cilat do të mbulohen nga fondi i sigurimit shëndetësor i shtetit.
Ndryshimet janë bërë pas përditësimit të rregullores për pajisjet mjekësore-teknike, duke zgjeruar të drejtën për përfitimin e sensorëve për monitorimin e vazhdueshëm të nivelit të glukozës dhe pajisjeve të tjera që ndihmojnë në kontrollin më të mirë të sëmundjes.
Sipas rregullave të reja, përfitues do të jenë:
– fëmijët me diabet të tipit 1 që përdorin pompë insuline ose kanë diabet të paqëndrueshëm, të cilët do ta ruajnë këtë të drejtë edhe pas moshës 18-vjeçare;
– gratë që planifikojnë shtatzëni, gratë shtatzëna dhe lehonat;
– pacientët e rritur të sapodiagnostikuar që marrin katër ose më shumë doza insuline në ditë;
– si dhe persona të tjerë të rritur me diabet të tipit 1 që plotësojnë kushtet e përcaktuara nga rregullorja.
Numri i sensorëve që do të financohen nga shteti varet nga kohëzgjatja e përdorimit të tyre. Fondi i sigurimit shëndetësor do të mbulojë pajisje për monitorim të vazhdueshëm të glukozës gjatë gjithë vitit, sipas llojit të sensorit të përshkruar nga mjeku.
Ky vendim pritet të lehtësojë ndjeshëm jetën e shumë pacientëve me diabet të tipit 1, duke u mundësuar kontroll më të mirë të nivelit të sheqerit në gjak dhe uljen e rrezikut për komplikime afatgjata.
