BIK me thirrje nga të gjitha xhamitë e Kosovës: Shqiptarët e Luginës të mobilizohen e të votojnë Koalicionin Shqiptar

Sot, në të gjitha xhamitë e Kosovës gjatë ligjërimit të së premtes (Hutbes), është lexuar një lajmërim i veçantë nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), përmes të cilit u është bërë thirrje e fuqishme të gjithë bashkatdhetarëve nga Lugina e Preshevës, Bujanoci dhe Medvegja për mobilizim masiv në zgjedhjet e ardhshme.
Në këtë mesazh të përcjellë para besimtarëve në çdo xhami të Kosovës, BIK u ka bërë apel të gjithë qytetarëve me të drejtë vote nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja që të marrin pjesë masivisht në procesin zgjedhor dhe të mbështesin Koalicionin Shqiptar.
Sipas mesazhit, unifikimi i votës shqiptare në këtë moment është një përgjegjësi e madhe kombëtare e qytetare, për të garantuar përfaqësimin e drejtë dhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në trevat e tyre autoktone.
“Mbështetja për Koalicionin Shqiptar dhe pjesëmarrja në votime është rruga për të mbrojtur dinjitetin, zërin dhe të ardhmen e popullatës shqiptare në Luginë,” u theksua gjatë ligjërimit në xhami.
Bashkësia Islame e Kosovës i ka ftuar posaçërisht të gjithë qytetarët nga Lugina që jetojnë, punojnë apo studiojnë në Kosovë dhe diasporë, që të udhëtojnë e ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës ditën e zgjedhjeve.
